Përgjigjet nga Kryetari i Bashkisë Berat mbi fenomenin e gjakmarrjes

Tutte le risposte dei sindaci albanesi

Më 7 shtator, Përgjigjet nga Kryetari i Bashkisë Berat, Petrit Sinaj, mbi pyetësorin  e përgatitur nga vullnetarët e Operazione Colomba-s në kuadër të fushatës “një popull kundër gjakmarrjes”.
Më poshtë ju sjellim letren që ka dërguar Bashkia e Beratit me përgjigjet e pyetësorit mbi fenomenin e gjakmarrjes.

Përgjigjet nga Kryetari i Bashkisë Berat

Të nderuar,
Gjej rastin t’ju dërgoj përshëndetje të përzemërta dhe t’ju shpresh falenderimet për fushatën Një popull kunder gjakmarrjes që Shoqata jauaj ka ndërmarre për identifikimin e hapave konkretë në luftën kundër fenomenit të gjakmarrjes dhe hakmarrjes.
Në këtë kontekts, gjeni ju lutem bashkangjitur pyetësorin e plotësuar nga Kryetari i Bashkisë Berat Z. Petrit Sinaj.
Duke ju falenderuar edhe njëherë për bashkëpunimin tuaj, mbetemi në dispozicion për çdo detaj tjetër të nevojshëm nga ana jonë.
Me respekt,
KRYETARI I BASHKISË Petrit Sinaj

Përgjigjet e pyetësorit

1.    Cila është përhapja e fenomenit të gjakmarrjes dhe të hakmarrjes në territorin ku ju jeni Kryetar/e i/e Bashkisë?
Nga burime pranë Drejtorisë së Shërbimeve Sociale në Bashkinë Berat, në territorin e Bashkisë sonë, nuk ka raste të evidentuara të gjakmarrjes apo hakmarrjes. Statistikat tregojnë që ky fenomen nuk është prezent në qytetin tonë dhe tradicionalisht nuk ka qenë prezent as në të kaluarën.
•    Si perceptohet fenomeni prej popullatës?
Qytetaret e Beratit, janë të ndërgjegjësuar me efektet negative të këtij fenomeni, duke patur parasysh ndjeshmërite që përcjell ky fenomen në aspektin kombëtar. Qytetarët dënojnë çdo lloj forme të gjakmarrjes dhe mbështesin çdo iniciativë që do të zbuste këtë fenomen në Shqipëri. Në aspektin lokal, fatmirësisht gjakmarrja nuk ka qenë pjese e realiteti të qytetit dhe qytetaret nuk e kanë prekur nga afër si fenomen.
•    Sa raste ka në komunën/qarkun ku ju jeni Kryetar/e i/e Bashkisë?
Pranë Bashkine Berat nuk rezulton asnjë rast i tillë i raportuar.
•    A ka bashkëpunim mes administratës dhe enteve të tjera në territorin ku ju jeni Kryetar/e i/e Bashkisë?
Ekziston një bashkëpunim i frtyshëm ndërmjet Bashkisë Berat dhe institucioneve publike dhe shoqerisë civile në qytet. Organet përgjegjëse për zbatimin e ligjit, si Policia, Gjykata, Drejtoritë Rajonale që kanë të bëjnë me trajtimin e çështjeve sociale dhe ato komunitare, kanë qenë në bashkëveprim për zbutjen e çdo fenomeni i cili shkakton plagë sociale në qytet. Gjithashtu Bashkia Berat vlerëson së tepërmi bashkëpunimin me Shoqërinë Civile dhe organizmat jo-qeveritare të cilet veprojnë në fushën e çështjeve sociale dhe ndihmës për grupet vulnerabile.
2.    Konkretisht, çfarë hapash do të bëni për çrrënjosjen e plotë të fenomenit të gjakmarrjes dhe tëhakmarrjes, duke iu referuar në mënyrë specifike territorit të komunës/qarkut ku ju jeni Kryetar/e i/e Bashkisë?
Pranë Bashkisë Berat funksionon Drejtoria e Shërbimeve Sociale, e cila është përgjegjëse për identifikimin dhe ndjekjen e rasteve të cilat kanë të bëjnë me problematikat sociale në qytet. Kjo Drejtori do të vazhdojë me struktura të tjera përkatese në qytet për të evidentuar dhe ndjekur çdo raste të mundshëm të gjakmarrjes dhe hakmarrjes dhe në bashëpunim edhe me organizmat qendrore qeveritare, do të jetë e gatshme të kryejë hapat e nevojshme në luftë kundër këtij fenomeni.
3.    Më 4 maj 2005 ka dalë Ligji nr. 9389, i cili ende nuk është zbatuar plotësisht, pasi mungojnë rregulloret zbatuese prej anës së Ekzekutivit. Çfarë keni ndër mend t’i kërkoni Ekzekutivit Shqiptar për zbatimin e këtij mjeti ligjor?
Ligji nr.9389 synon “Ngritjen e Këshillit Koordinues në luftën kundër gjakmarrjes”. Pritet që me plotesimin e rregulloreve përkatese, ne do të mund të angazhohemi plotësisht për të qenë pjesë aktive e nismave kombëtare që Këshilli Koordinues Kombëtar do të koordinojë me pushtetin vendor.

Faleminderit

Shumë faleminderit kryetarit të Bashkisë Berat që është përgjigjur të gjitha pyetjeve e pyetësorit tonë. Sigurisht ne do të krahasojmë të dhënat tona me ato të raportuara nga kryetari i bashkisë. Përfitojmë nga kjo mundësi edhe për të kërkuar një përgjigje më të  thellë mbi pyetjen e fundit. Si e ka ndërmend të lëvizë Bashkia e Beratit për të kërkuar Qeverisë Shqiptare zbatimin e ligjit nr. 9389?