Diana Thoma Mile (LSI)

Përgjigja e kandidates Diana Thoma Mile të Partisë “Aleanca për Shqipërinë Europiane” (ASE) – “Lëvizja Socialiste për Integrim” (LSI) për Bashkinë e Pogradecit

  1. Rrethi i Pogradecit nuk ka raste të gjakmarrjes apo hakmarrjes, ndryshe nga rrethet e disa zonave të tjera të Shqipërisë, në Pogradec nuk janë regjistruar dhe as denoncuar të tilla raste. Të dhënat për rastet e dhunës në familje vijnë nga prokuroria por asnjë e dhënë për raste hakmarrje apo gjakmarrje nuk ka ardhur.
    • Gjakmarrja apo hakmarrja perceptohet nga popullata si një fenomen jo i pranueshëm dhe i patolerueshëm për shoqërinë dhe vendin ku jetojmë pasi njerëzit janë të ndërgjegjësuar se këto fenomene nuk janë zgjidhje dhe nuk tregojnë emancipim të vendit tonë. Gjakmarrja është një fenomen që pengon mirëqenien.
    • Në rrethin e Pogradecit nuk ka asnjë rast të regjistruar të fenomenit të gjakmarrjes apo hakmarrjes.
    • Në Pogradec është formuar prej 4 vjetësh tashmë Ekipi Teknik Ndërdisiplinar, i cili përfshin 11 Institucione te Pogradecit, të cilët bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për referimin e rasteve të Dhunës në Famlje. Ky është quajtur Mekanizmi i Referimit dhe funksionon si një trup i vetëm për minimizimin dhe reduktimin e Dhunës në Familje.
  2. Në zonën ku unë kandidoj, pra në Pogradec, fenomeni i gjakmarrjes dhe hakmarrjes fatmirësisht nuk është prezent por nuk mund të lë pa përmendur Dhunën në Familje dhe Dhunën ndaj Grave dhe Vajzave apo edhe ndaj Fëmijëve. Këtë fenomen edhe pse në ulje, sipas të dhënave të Prokurorisë, fatkeqësisht e kemi prezent në rrethin e Pogradecit. Me krijimin e Mekanizmit të Referimit, 11 Institucionet që bashkëpunojnë për reduktimin e dhunës në familje janë: Bashkia Pogradec, Gjykata, Prokuroria, Komisariati i Policisë, Zyra për Barazi Gjinore dhe të Drejtat e Grave dhe Fëmijëve, Spitali, Poliklinika, Drejtoria e Shëndetit Publik, Zyra e Punës, Zyra Arsimore dhe një OJF (shoqata “Unë, Gruaja”), gratë e dhunuara sa vijnë dhe ndërgjegjësohen më shumë duke e denoncuar dhunën që ushtrohet mbi to. Ajo që unë synoj për Pogradecin, ashtu si disa rrethe të tjera të Shqipërisë, është krijimi i një strehëze ose ambjent rehabilitimi për gratë e dhunuara të cilave iu mungon mbështetja nga familja dhe të cilat janë të kërcënuara nga dhunuesit e tyre. Gjithashtu pajisja e institucioneve përkatëse me avokat, psikolog dhe sociolog.
  3. Si një zbatuese dhe respektuese e ligjit, mendoj se Ligji nr. 9389, duhet të zbatohet nga organet përkatëse. Unë jam plotësisht mbeshtetëse e ligjit dhe funksionimit te tij në mënyrën më të mirë të mundshme duke i sherbyer njerëzve.