Operazione Colomba – raport mujor të aktiviteteve në Shqipëri – Maj 2018

muralesSituata sot

Në muajin Maj, përveç disa vrasjeve për arsye të dobëta ose për konflikte pronash, ndodhi një rast i rëndë që vë në dukje diskriminimin e pakicave etnike në vend, si edhe nivelin e ulët të besimit të qytetarëve në drejtësi. Një djalë me origjinë rome vdiq në Korçë, në Komisariatin e Policisë, në paraburgim. Policia deklaroi se vdiq për shkaqe natyrore, ndërsa familja e viktimës akuzon policinë per vdekjen e tij, për shkak të etnisë. Familja ka deklaruar publikisht se, nëse Shteti nuk do të dënojë fajtorët, do të bëjë vetgjyqësi.

Puna dhe lajmet të reja nga vullnetarët

Vullnetarët në fillim të muajit kanë udhëtuar drejt Tropojës për t’u qëndruar pranë familjeve në gjakmarrje. Me një prej tyre, në mënyrë të veçantë, jemi duke bërë një punë të rëndësishme për qasjen në drejtësi, për të kuptuar përse vrasësi i të afërmit të tyre është liruar nga burgu pasi ka shlyer vetëm disa vite dënimi. Falë bashkëpunimit me avokatin tonë, tani dimë se familja duhet t’i drejtohet Prokurorisë së Rrethit. E konsiderojmë një vendim të rëndësishëm dhe e mbështesim në mënyrë jetike zgjedhjen e familjes për të ndjekur rrugën ligjore sepse kjo i largon nga gjakmarrja. Gjithashtu kjo zgjedhje përforcon vullnetin e familjes për të falur vrasësin.

Në mes të muajit, kemi pasur vizitën e çmuar të At Gianfranco Testa, një misionar nga Konsullata e Amerikës Latine dhe bashkë-themelues i shkollave të Faljes dhe Pajtimit, me të cilin kemi kaluar një javë të pasur dhe intensive. Kemi vizituar familjet që vuajnë nga gjakmarrja, duke u sjellë atyre shpresë, falje dhe ngushëllimi. Në veçanti, At Gianfranco ka theksuar rëndësinë për të ecur përpara, duke investuar energjitë tek e ardhmja, tek fëmijët, të cilët përballen me jetën dhe mbushin shtëpitë me jetë edhe shpresë.

Së bashku me At Gianfranco-n kemi organizuar vizitën vjetore në Kishën e Shën Ndout në Laç me gratë dhe fëmijët që i përkasin familjeve në gjakmarrje. Në Kishë, pas pjesëmarrjes në Meshë, At Gianfranco u tregoj grave një histori që përfundoi me zgjedhjen e faljes, që ndodhi disa muaj më parë në Itali, duke dëshmuar se është e mundur të zgjedhësh rrugën e paqes. Disa gra të cilat ende nuk kanë kapërcyer dhimbjen për humbjen e fëmijëve të tyre, u prekën shumë duke e falenderuar për këtë shëmbull.

Puna e fundit që kemi bërë me At Gianfranco-n ishte një takim me grupin e të rinjve në gjakmarrje që ndjekim, gjatë të cilit u kemi propozuar një lojë të thjeshtë por me plot kuptim; djemtë duhet të mendonin mbi kuptimin e asaj që japin dhe marrin, si dhe mbi rëndësinë e bashkëpunimit dhe ndihmës reciproke për të arritur qëllimet e tyre. At Gianfranco ishte si gjithmonë një prani e fortë, na ka dhënë mbështetjen por, mbi të gjitha, guximin për të mos pasur kurrë frikë për të folur për falje dhe pajtim, edhe në prani të zemrave që vuajnë. Në mes të Majit kemi përshëndetur Elonën, e falënderojmë shumë për punën e madhe që ka bërë gjatë muajve të fundit, me shpresën që të kthehet së shpejti. Largimi i Elonës ndeshi me ardhjen e Sarës, i cila do të qëndrojë me ne për dy muaj.

Marrëdhëniet me institucionet dhe puna në rrjetë

Në fund të Majit kemi takuar një prift dhe një murgeshë në një famulli në periferi të Shkodrës, ku është kryer një vrasje pak muaj më parë. Takimi ka qënë vendimtar për të filluar një bashkëpunim të frytshëm për t’i orientuar për paqe dhe falje familjet të prekura nga konflikti. Të dyja palët u treguan të gatshme për të nisur një udhëtim së bashku për të ndihmuar familjet në konflikt, si atë të viktimës, e cila po vuan shumë, si atë të fajtorit, e cila jeton e ngujuar nga frika e gjakmarrjes.