Përgjigjet nga Kryetari i Bashkisë Konispol mbi fenomenin e gjakmarrjes

Përgjigjet nga Kryetari i Bashkisë Konispol mbi fenomenin e gjakmarrjes

Ju sjellim përgjigjet e kryetarit të Bashkisë Konispol, Shuaip Beqiri. Në fakt, këto ditë ai ka dërguar vullnetarve të Operazione Colomba-s përgjigjet e pyetësorit mbi fenomenin e gjakmarrjes.

Pyetjet

1- Cila është përhapja e fenomenit të gjakmarrjes dhe të hakmarrjes në territorin ku ju jeni Kryetar/e i/e Bashkisë?

  • Si perceptohet fenomeni prej popullatës?
  • Sa raste ka në komunën/qarkun ku ju jeni Kryetar/e i/e Bashkisë?
  • A ka bashkëpunim mes administratës dhe enteve të tjera në territorin ku ju jeni Kryetar/e i/e Bashkisë?

2- Konkretisht, çfarë hapash do të bëni për çrrënjosjen e plotë të fenomenit të gjakmarrjes dhe të hakmarrjes, duke iu referuar në mënyrë specifike territorit të komunës/qarkut ku ju jeni Kryetar/e i/e Bashkisë?

3- Më 4 maj 2005 ka dalë Ligji nr. 9389, i cili ende nuk është zbatuar plotësisht, pasi mungojnë rregulloret zbatuese prej anës së Ekzekutivit. Çfarë keni ndër mend t’i kërkoni Ekzekutivit Shqiptar për zbatimin e këtij mjeti ligjor?

Reagimi i Kryetarit të Bashkisë Konispol

Ju sjellim më poshtë tekstin e plotë të përgjigjeve nga Kryetari i Bashkisë Konispol:

“Në përgjigje të shkresës suaj Prot.Nr.250B/2015, datë 27.08.2015, po ju informojmë në lidhje me pyetjet e dërguara prej jush.

Në territorin që përfshinë Bashkia e madhe e Konispolit, nga Janjari në Vrinë fenomeni i Gjakmarrjes dhe Hakmarrjes nuk është aspak i pranishëm. Popullsia është pothuajse homogjene dhe autoktone duke përjashtuar një fshat(Shëndëlli) i cili është krijuar pas vitit 1990 me popullsi të ardhur nga Veriu i Shqipërisë. Deri në këto momentë nuk ka pasur as edhe një rast të konflikteve të cilat të kenë si shkak Gjakmarrjen apo Hakmarrjen. Megjithatë nuk përjashtohen raste në të ardhmen, për këtë arsye nga ana ime si dhe e Institucionit që unë drejoj do të ndërrmerren masa konkrete në të gjithë territorin e Bashkisë Konispol fillimisht për informim të fenomenit si dhe zgjidhje sipas rasteve konkrete.

Shpresojmë që kjo plagë e shoqërisë Shqiptare të kalohet sa më parë dhe në zona të tilla Konispoli të mos gjejë asnjë hapsirë për tu shfaqur dhe përhapur më tej.

Bashkëpunimi ynë do të jetë maksimal si me ju ashtu dhe me cdo institucion për crrënjosjen përfundimtare të këtyre fenomeneve.

Duke ju falenderuar!

KRYETAR I BASHKISË KONISPOL

Shuaip BEQIRI”

Falënderim

Ne gjithashtu falënderojmë Kryetarin e Bashkisë Konispol për kontributin e dhënë, që do të krahasojmë me të dhënat e institucioneve në lidhje me fenomenin e gjakmarrjes në bashkinë e Konispolit me ato të mbledhura nga ne. Deshirojmë gjithashtu të zgjerojmë ftesën për t’iu përgjigjur të gjitha pyetjeve të pyetësorit, në mënyrë të veçantë të tretën mbi Ligjin nr. 9389/05, në lidhje me krijimin e një Këshilli Koordinues, ashtu siç kërkohet nga ligji shqiptar.